Rreth vitit 1920 një korçar me emrin Nikola Lako, i cili jetonte kryesisht në Francë mund të veçohet për nga kujdesi në paraqitjen grafike të materialeve të tij. Lako përveç tjerash e kishte botuar edhe revistën Opinga në Francë.

Rreth industrisë shqiptare të reklamimit

Shoqëria e parë publicitare në një qytet shqiptar ishte në Vlorë. Kjo shoqëri në vitin 1914 ishte themeluar nga Roma në Itali me qëllim të organizimit të reklamave për gazetën ditore Përlindje e Shqipniës që botohej në kryeqytetin provizor të atëhershëm të Shqipërisë.1 Reklamat në mediumet e shtypura shqiptare ishin realizuar dhe më parë, veçanërisht në revistat dhe gazetat si Bashkim i Kombit (1909) në Manastir, gazeta Korça (1909) në Korçë.2 Por në vitin 1944 (qysh kemi raportuar dhe më parë), ishte hapur e para agjenci e plotë publicitare shqiptare, me emrin SPAS. Ajo kishte qenë në pronësi të atëhere 24 vjeçarit Sergj Sherko, i cili si duket e kishte mbështetjen e veprimtarit dhe filozofit shqiptar Nebil Çika. Për Sergj Sherkon e gjejmë këtë përshkrim,

"Sergej Sherko lindi në Odessa në 1920,  nga baba shqiptar (Mihal Sherko) dhe nënë ruse (Elena D'Arkudinski), vajza e kryebashkiakut të  Odessës. Familja e saj bënte pjesë në aristokracinë ruse me lidhje gjaku me Romanovët. Më 1924 ikin nga Rusia e vijnë në Shqipëri. Z. Sherko e kishte nisur shkollën fillore italiane më 1926 në Tiranë dhe më 1931, kur ishte 11 vjeç, pat shkuar në Korfuz për të vazhuar shkollën tetëvjeçare. Zotëronte në mënyrë të përkryer rusishten, shqipen, italishten dhe frengjishten; në Korfuz perfeksionoi dhe greqishten e latinishten. Më 1936, në moshën 16 vjeçare, shkoi në Torino për të studiuar në kolegjin San Giuseppe, që frekuentohet ende sot nga elita e Torinos. Në kursin e një viti më poshtë ishte dhe avokati  Giovanni Agnelli. Mbas përfundimit të liceut më ‘41 vazhdoi fakultetin ekonomik me korrespondencë, meqë ishte kohë lufte.  Me fillimin e bombardimeve në Torino më 1943, u kthye në Shqipëri ku mbeti për pesëdhjete vjet në izolim. Kur u rikthye në Itali shokët e rinisë i gjeti tashmë 70 vjeçarë. Mes miqve të tij kishte qenë dhe Nako Spiro, me të cilin ishte njohur në Korfuz dhe më pas kishte ndarë shtëpinë në Torino në Corso Vinzaglio." Lexo intervistën e plotë nga Artan Shabani, Shqiptarja (2018)


Sergji kishte qenë një nga pionierët e industrisë së reklamimit ndër shqiptar. Edhe pse përpjekja e tij kishte qenë jetëshkurtë. Reklamën e agjencisë së tij e gjejmë vetëm te revista e botuar nga Nebil Çika, te Bleta në vitin 1944. Dhe si duket SPAS bënte reklamimin edhe për kinematë e qytetit.

Image
Reklama e Shoqërisë Publicitare Anonime Shqiptare (SPAS) në revistën Bleta në vitin 1944. (AQSH)

 

Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1945, me shtetëzimin e ndërmarrjeve në Shqipëri kishte ndryshuar tërësisht procesi i reklamimit. Ndërmarrjet tashmë të shtetëzuara kishin repartet e tyre të përbëra nga artistë që realizonin pllakatet dhe materialet tjera reklamuese. Kurse nuk kemi njohuri të ketë pasur ndonjë institucion më të specializuar për reklamat në revista, gazeta, radio e televizion.


Shiko për shembull numrin 3 të vitit të dytë, 1914. Faqja e fundit shkruan: Për botime në Përlindja e Shqipëniës drejtohi te Drejtoria e Shoqëniës Italo Shqipëtare në Romë, Via Flavia Nr. 6.

2 Reklamat në Korçë, si dhe në mediumet tjera, organizoheshin nga vetë gazeta. Gazeta e Korçës e kishte instaluar një shtypshkronjë në qytet që në tetor të vitit 1909, me iniciativë të Sami Pojanit. Shtypshkronja menaxhohej nga vëllau i tuj Muhamedi. Kjo shtypshkronjë kishte funksionuar në Korçë të paktën deri në vitin 1943, dhe një pjesë të gjatë të kësaj kohe kishte qenë në menaxhim të tipografit Theodhor Gaqi Koti, të njohur shkurt si Dhori Koti.