Trembelat, me siglën botuese Varg, ka publikuar dy librat e parë të serisë Prishtina në histori. Vëllimi i parë përmban 101 dokumente dhe fragmente që përmendin Prishtinën nga viti 1315 deri në vitin 1912, duke ofruar një pasqyrë të pasur të periudhave të ndryshme historike. Ndërkohë, vëllimi i dytë përfshin tekste autoriale nga studiues të ndryshëm, që trajtojnë tema si origjina e qytetit, periudha osmane, dinastët e familjes Gjinolli dhe çështje të tjera të rëndësishme për historinë e Prishtinës.
Pas suksesit me qerthullin në rrjet Prishtina në histori, ku materialet dhe artikuj janë botuar në tri gjuhë të ndryshme, librat e shtypur janë plotësuar edhe me materiale shtesë. Në mesin e tyre është një artikull krejt i ri për familjen Gjinolli, i përditësuar sipas dokumenteve arkivore, pastaj një fragment nga hrisobula e Graçanicës nga viti 1321, pastaj dokumente të pabotuara nga fushata habsburgase në Kosovë e vitit 1689, e të tjera. Librat, përveç tekstit, kanë edhe shumë ilustrime e grafika, një pjesë e tyre të dizajnuara enkas për botimin e shtypur.
“Synimi jonë është të bëjmë sa më të njohur dhe të prekshme historinë e hershme të Prishtinës. Duke sjellur drejtpëdrejtë dokumentet arkivore, e duke përdorur grafika e ilustrime, Prishtina në histori si projekt nuk mëton vetëm publikun e specializuar të studiuesëve, por secilin qytetar që mund të ketë interesim, ose që mund të zhvillojë interesim në historinë e qytetit” ka thënë Yll Rugova, redaktori i botimeve dhe i qerthullit Prishtina në histori. “Këto janë dy vëllimet e para, por së shpejti pritet edhe një vëllim i tretë që përfshinë dhjetë letra nga Anton Vas, nënkonsulli francez i Prishtinës në vitin 1812. Përvoja e tij e shkurtër në Prishtinë është shumë interesante, dhe besoj do të jetë me interes edhe për lexuesit” ka shtuar ai rreth planeve në të ardhmen.

Të dy vëllimet janë të disponueshme në libraritë Dukagjini Bookstore, Libraria Buzuku dhe Libraria Artini-Toena. Po ashtu, mund të gjenden në pika si MIQT Pub ose të porositen me kërkesë të veçantë përmes postës. Për lehtësim të lexuesve, librat mund të blihen edhe online përmes platformës së Librarisë Dukagjini.
Projekti i botimit është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes programit të saj për mbështetjen e botuesëve. Autorë dhe bashkëpunëtorë të përfshirë në botim janë studiesit: Agron Islami, Durim Abdullahu, Lekë Shala, Kaltrina Igrishta dhe Rinë Zhitia.