Është gati libri për historinë e tipografisë shqiptare 1555–1912. Sipas përshkrimit nga vetë autori, libri është një tregimi për shtypshkronjat, alfabetet dhe tipshkronjat shqiptare. Trembelat nën siglën Varg bën botimin e këtij studimi në formatin fizik, kurse për botimin digjital është përkujdesur Berk në Tiranë. Përderisa kopja digjitale tashmë është në shitje përmes Berk.al dhe mund të sigurohet këtu, libri i shtypur do të promovohet me datën 2 tetor në Prishtinë kur edhe do të jetë në dispozicionin e lexuesëve.
Vëllimi nga Yll Rugova trajton historinë e botimeve në gjuhën shqipe, çështjet që lidhen me shtypshkronjat në viset e banuara me shqiptarë dhe punën e shtypshkruesëve shqiptar përgjatë periudhës së kërkuar. Qysh e thotë vetë Rugova,
Dy vjet izolim të COVID-19 më kanë dhënë hapësirë për një hulumtim të vëmendshëm mbi historinë e shkronjave, shtypshkronjave e botimeve shqiptare. Histori që mbase fillon edhe para botimit të Mesharit në vitin 1555, me inkunabulat e familjes Vitali, e që na është dashtur ta ndërpresim më 1912 kur numri i shtypshkronjave dhe shtypshkronjësve shqiptar shumëfishohet. Në libër diskutohet, përveç tjerash, për germat rotunda të Nichola Jensonit që përdoren te Meshari, për tipshkronjat e Alois Auerit të alfabeteve origjinale shqipe të Todhrit e të Veqilharxhit në mesin e shekullit të 19të, për gdhendjen në çelik të alfabetit të Stambollit nga vetë Sami Frashëri, e për shtypshkronjën prodhimtare të Kristo Luarasit. Kërkimi trajton të gjitha shtypshkronjat a shtypshkronjësit që kanë vepruar në viset shqiptare, e të gjithë librat në gjuhën shqipe nga kjo kjo periudhë.
Për këtë libër Rugova në bashkëpunim me ekipin e Trembelave ka dizajnuar tipshkronjat të veçanta me emrin Kazazi për të vënë tekstin, pastaj tipshkronjat Vandijk për germat italike, dhe ka pasuruar tutje tipshkronjat Bardhi që burojnë nga proporcionet e Fjalorit të Frang Bardhit. Gjithashtu germat e alfabeteve origjinale Todri për alfabetin e Theodhor Haxhifilipit, dhe Vithkuqi për alfabetin e Naum Veqilharxhit. Realizimi i librit është mbështetur nga Komuna e Prishtinës.
Germat Kazazi për tekstin dhe Vandijk për italiket. Fragment teksti nga libri.