Shtypi i lirë ishte fenomen shumë i përhapur në dekadat e para të shtetit shqiptar. Libra që prodhoheshin shpejtë e me çmim të kapshëm për popullatën ende të varfër të Shqipërisë shtypeshin në letër të cilësisë së ulët dhe karakterizoheshin me realizim grafik të bërë shpejtë e shpejtë. Dhori Koti ishte një nga figurat kryesore të shtypshkrimit të hershëm shqiptar, i njohur veçanërisht për shtypin e tij të lirë. Emri i Dhori Kotit haset shpesh si botues i veprave të ndryshme, prej Daniel Defoe e deri te Mihal Grameno. Por përtej kësaj, informata më të detajuara për jetën e tij asnjëherë — çuditërisht — nuk janë botuar. Si botues dhe shtypshkrues i mbi 160 librave nga viti 1916 deri në vitin 1943, Koti pa dyshim ishte një promotor i rëndësishëm i shtypshkrimit shqiptar, i botimit, e gjithsesi edhe i fushës së artit grafik — për çka do të flasim në vijim. Dizajni i librave të tij në vitet 20 dhe 30, përfaqëson më së miri dizajnin shqiptar të kohës. Me vrazhdësinë por edhe thjeshtësinë karakteristike, Koti kishte jehuar mbase aksidentalisht parimet e rrymave moderniste të kohës. Puna e Dhori Kotit si artizan grafik i kohës, ishte njëfarë arti brut, "i bërë më shumë me këmbë se me dorë" siq e kishte karakterizuar Dhimitër Shuteriqi.
Përgjatë kohës kur kishte vepruar Dhori Koti, në Shqipëri vepronin me ndërprerje mbi tridhjetë shtypshkronja. Në vitin 1936 në Tiranë ishte formuar për herë të parë Shoqata e Tipografëve të Tiranës me 80 anëtarë. Në një pjesë të madhe të këtyre punishteve të kohës librat kompozohej "brutalisht" për nga aspekti i artit grafik. Menjëherë pas pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 kishte ndodhur një shpërthim i numrit të shtypshkronjave në gjuhën shqipe gjithandej vendit. Por shtypshkrimi, arti grafik dhe tipografia ishin ngulitur befas në kulturën shqiptare pa ndonjë traditë paraprake. Pas ngritjes së shtypshkronjës shqiptare në Bukuresht nga rilindasi Jani Vreto më 1886, ishte krijuar një treg i ri me lexues shqiptar. Veçanërisht kishte qenë i sukseshëm botimi Kalendari Kombiar nga shtypshkronja Mbrothësia e Kristo Luarasit në Sofje e vitit 1897 e tutje. Ky kalendar me përmbajtje enciklopedike por edhe patriotike kishte shërbyer edhe si një katalizator në krijimin e lexuesit në gjuhën shqipe, dhe kishte qenë veçanërisht i rëndësishëm për përhapjen e alfabetit të Stambollit. Edhe botime tjera si gazeta Albania në Bruksel, kishin pasur rëndësi të madhe në mobilizimin e leximit shqip.
Në Korçë dhe Shkodër ishin hapur dy shtypshkronjat e para private në gjuhën shqipe qysh në vitin 1909 — duke përfituar nga klima e lehtësuar kulturore e krijuar në vitin e parë të udhëheqjes xhonturke. Në Korçë shtypshkronjën e kishte themeluar Sami Pojani. Pas vdekjes së parakohshme të tij në vitin 1911, shtypshkronja kishte kaluar fillimisht në duar të Mihal Xoxes, e më pas nga viti 1916 e tutje atë e kishte marrë përsipër njëri nga rradhosësit e punësuar aty, Theodhor Gaqi Koti, i njohur më shkurt si Dhori Koti. Ky e kishte drejtuar këtë sipërmarrje për 27 vjet deri në vitin 1943, kur duket se ishte mbyllur.
Në pamje të parë shtypshkrimet e Dhori Kotit nuk kanë pse të veçohen nga të tjera botime bërë në Shqipëri në të njejtën kohë. Madje në shumë aspekte botimet e Kotit mund të konsiderohen infriore nga disa shtëpi botuese më me renome të Tiranës. Në Tiranë në këtë kohë Branko Merxhani me Vangjel Koçen e proklamonin neo-shqiptarizmën, si një paraqitje moderne e shqiptarëve tashmë në proces të pakthyeshëm të mishërimit të vlerave perëndimore. Në të njejtën vijë, Nebil Çika në revistën Minerva deklaronte më 1931 se do të përpiqej “me gjithë fuqi [...] që të bëhemi shkak edhe për mirësimin e artit tipografik në Shqipëri.” Tirana si kryeqytet i Shqipërisë pas vitit 1925, ishte bërë një qendër e rëndësishtme e mendimit filozofik e kulturor. Në vitin 1921 aty ishte hapur edhe Shkolla Teknike, e cila përveç tjerash mbante lëndë të veçanta për shtypshkrimin.
Në aspektin pamor dhe të artit grafik, shtypshkronjat në dekadat e para të pavarësisë së Shqipërisë ishin karakterizuar me influencë të tërthortë të art nouveau, por edhe nga mbetjet e stilit tranzicional të shekullit të mëparmë. Në qarqet intelektuale teoria estetike e kohës kishte qenë e influencuar nga filozofi italian Benedetto Croce, i cili mendonte se arti ishte më i rëndësishëm se shkenca, dhe se artisti do të duhej të synonte krijimin e veprave perfekte. Salaudin Toto, Ismet Toto, Nebil Çika por edhe disa intelektualë të Korçës që botonin te Koti, si Nonda Bulka, kishin qenë të influencuar prej tij. Ishte kohë e ideve moderne, që mbase më së miri përshkruhet nga ky fragment i shkëputur nga një tekst i Nonda Bulkës botuar te Minerva,
“[R]eaksioni i pleqve kundra modernizimit, mëma që mallkon të bijen që u martua me një djalosh prej tjetër feje, fshatari që vuan prej krizës, ç'imprekacione shfryn malësori i shkretë kundra botës së re, kundra oksidentit që po i kanoset Atdheut…” (Bulka 1936, f. 31)
Pra ishte një periudhë kur elitat shoqërore në Shqipëri kishin përqafuar modernizimin e përgjithshëm që buronte nga oksidenti. Ndërkohë, në Francë mes viteve 1918–1925 ishte nxitur ndërkombëtarisht lëvizja puriste, e udhëhequr nga arkitekti Charles-Edouard Jeanneret, i njohur më shumë me emrin Le Corbusier. Kjo lëvizje proklamonte vepra “të qarta, të ekzekutuara me lojalitet, saktë dhe pa mashtrim”. Më vonë këto parime ishin kodifikuar tutje si pjesë e lëvizjes në arkitekturë të njohur si brutalizëm. Në Gjermani, parime të ngjashme po aplikoheshin nga mjeshtrit e zanatit të Bauhaus, shkollë eksperimentale e artit aplikativ e themeluar në vitin 1921 në Weimar. Njësoj në Rusi ishin në ballë konstruktivistët (1915), e suprematistët (1915), e në Zvicër dadaistët (1916). Të gjitha kishin të përbashkët shkëputjen nga praktikat e mëparme të artit dekorativ, në drejtim të thjeshtësisë, funksionit dhe eksperimentimit. Në vitin 1922 në SHBA për herë të parë ishte përdorur termi dizajn grafik. E në vitin 1927 Jan Tschichold në librin e tij Die neue Typographie, parimet e kohës i kishte mishëruar në tipografi. Ishte periudhë e një fryme artistike dhe filozofike që më vonë ishte identifikuar nën omberllën me emrin modernizëm.
Por në Shqipëri, duket se kjo rrymë, në thelbin e saj kishte depërtuar ndryshe në diskursin publik intelektual të kohës. Fryma kryesore filozofike e kohës, neo-shqiptarizma, e perpetuuar nga Branko Merxhani e Vangjel Koça, qysh e thamë dhe më lartë, proklamonte një modernizëm tjetër prej atij të Le Corbusier. Zëra të tjerë intelektualë ishin më pak të dëgjuar. Në Korçë te Dhori Koti ishte botuar vepra Rrëfimet e filozofit ekzistencialist shqiptar Jusuf Luzaj në vitin 1937. Luzaj, që kishte studiuar në Sorbonë, ishte ndeshur me idetë ekzistencialiste prej dorës së parë, nga vetë Jean Paul Sartre. Në vitin 1936 deri 1938 Luzaj kishte dhënë lëndën e frangjishtës në Liceun Francez të Korçës. Në vitin 1936/8 edhe ai kishte qenë pjesmarrës në protestat e bukëpjekësve të Korçës, të njejtat që ishin përkrahur nga Pandi Frashëri dhe Dhori Koti në gazetën korçare Rilindja. Gazetë kjo e shtypur dhe përkrahur nga Koti. Luzaj kishte mendimet e tij për artin dhe stilin, të botuara më vonë si pjesë ditaresh, esesh dhe rrëfimesh,
Kur forma shprehë atë që duhet të shprehë e asgjë më tepër, ka stil. Nuk mjafton, në asnjë art, që njeriu të ketë vetëm koncepte origjinale, është e nevojshme për të gjetur strukturën formale që e interpreton besnikërisht konceptin. Çdo rritëm i mendimit njerëzor, që arrin një shprehje adekuate, krijon një stil. Çdo karakteristikë intelektuale e një populli ose e një epoke është e ndjerë me më shumë intensitet prej njerëzve origjinalë… (Luzaj 2009, f. 165)
Zëra të tjerë të artikuluar për artin kishte pasur pak, ose fare. Në tre revistat kulturore të Korçës Rilindja, Ars, dhe Bota reflektoheshin kryesisht idetë e neo-shqiptare të Tiranës. Botoheshin me ndonjë pjesë aty këtu edhe artikuj nga autorët e majtë rus, si Maksim Gorky. Por në përgjithësi, nga botime e kohës nuk gjejmë ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë të rrymave evropiane të purizmit, tipografisë së re apo cilësdo rryme tjetër moderniste të ngjashme me to.
Librat e Dhori Kotit, veçanërisht në vitet e ‘30a karakterizoheshin me thjeshtësi të madhe në faqosje. Me ballina të bazuara në tipografi, të cilat rrallë herë shoqëroheshin me ndonjë ornament, e gati gjithmonë me të njejtin tip të shkronjave. Si material shtypi përdorej një letër e lirë, kurse kopertina mbase me një letër fare pak më të trashë, dallohej vetëm për nga ngjyra. Shtypi te Dhori Koti bëhej kryesisht veç me ngjyrë të zezë mbi letër, dhe rrallë herë aty këtu përdorej edhe ngjyra e kuqe. Karakteristikat e librave të Dhori Kotit ishin, me ndonjë përjashtim, si në vijim:
Në botimet e hershme të viteve 20, te Koti dhe të tjerët, ballinat shpesh rrethoheshin me një kornizë dekorative, e cila si estetikë ngjasonte me art nouveau, por jo edhe për nga forma e ornamenteve. Sa i përket shkronjave, megjithëse dominonte tipi i shkronjave të Bertholdit, kishte më shpesh kombinim të germave, e madje në disa raste, si te botimet e Naim Frashërit, hasim në tendencë për të kopjuar edhe estetikisht e tipografikisht botimet e hershme të Bukureshtit e Sofjes. Por, edhe në librat e shtypur të kësaj kohe, është e dukshme tendenca për shtyp në letër të lirë, e edhe shmangia nga ekcesi dekorativ. Në shikim të parë ato duket se pasqyrojnë konceptet e Jan Tschicholdit nga viti 1927,
Kjo kohë karakterizohet me një kërkim të gjithanshëm për qartësi dhe të vërteta, për pastërti në atë që shihet. Kështu që problemi i përzgjedhjes së tipshkronjave sot është më i ndryshëm nga ç’ka qenë më parë. Sot kërkojmë nga tipshkronjat thjeshtësi, qartësi, dhe refuzim të gjithçkaje që është e tepërt. (Tschichold 2006, f. 77)
Natyrisht këtë pastërti nuk e gjejmë te të gjithë librat e Dhori Kotit. Dizajnet ekonomike të librave ishin normë edhe në shtypshkronja tjera të kohës në Shqipëri. Por asnjëra nuk e kishte aq të theksuar dhe aq konsistente "vrazhdësinë" e paraqitjes. Asnjëra nuk kishte punuar aq gjatë. E gjithashtu asnjë nga shtypshkronjësit tjerë nuk e kishte pasur edhe bagazhin e njejtë ideologjik e politik si Koti. Nëse shohim ndjekim teoritë e brutalistëve të mëvonshëm të arkitekturës, paraqitja pamore e veprave të tyre ishte rezultat “i etikës dhe jo estetikës”. Pra, ishin parimet ideologjike që e impononin formën, dhe jo preferencat estetike. Kjo mbase, në një nuancë mund të thuhet edhe për shtypshkrimet e Kotit.
Qysh do të shohim dhe në vijim, Dhori Koti kishte qenë disa herë politikisht i persekutuar për shkak të botimeve të tij. E gjithashtu në mesin e veprave që kishte shtypur, jo pak kishin qenë vëllime politike. Është e mundur të ketë pasur preferencë nga e majta e spektrit politik. Në vitin 1932 për shembull, e kishte botuar një libër me titull Luftim’ i lluksit dhe i disa zakoneve primitive. Nga puna e tij nuk mund të konkludohet se artin grafik Koti e shihte si shprehje artistike. Së këndejmi, brutalizmi i tij me siguri se nuk ishte shpërfaqje e ndonjë manifesti artistik të kohës. Ai më shumë është e mundur të kishte zënë vend sapontanisht e organikisht, shtyrë nga faktorët ekonomik në një klimë të ngarkuar me ide të reja artistike e politike.
Është e vështirë të dihen saktë mendimet ideologjike dhe preferencat politike të Kotit. Së pari pasi që ai nuk i nënshkruante tekstet e tij, prandaj dhe nuk e dijmë saktë çka kishte shkruar. Dhe e dyta, se tjerët krejt pak kanë shkruar për të. Këtu ndoshta edhe qëndron arsyeja pse figura e tij mbetet kaq e panjohur. Çka mbetet e padiskutuese nga Dhori Koti janë rreth 160 libra të botuar te shtypshkronja e tij mes vitit 1913–1943. Për figurën e Kotit gjejmë të dhëna vetëm tërthorazi nga autorë të mëvonshëm. Në një fragment të rrallë ku përshkruhet një moment nga jeta e Dhori Kotit, Dhimitër Shuteriqi për shembull, e konsideronte shtypin e Kotit si të "bërë me këmbë", e duket se nuk kishte qenë i vetmi me këtë mendim,
Mora guxim e vajta drejt te Dhori Koti, një nga shtypshkronjësit e librashitësit më të njohur të asaj kohe. Librat shtypshkronja e Dhorit i botonte si mos më keq, aq sa Tasi Pika (vëllai i piktorit Vangush Mio), në librat që botonte tek ai vinte shënimin “Made in Albania”, d.m.th. bërë më shumë me këmbë se me dorë. Po ç’të bëja? Në Korçë ishte edhe shtypshkronja “Evangjeli”, por ajo s’mund të lëvdohej për më mirë, përkundrazi.
Shuteriqi kishte botuar te Dhori Koti dy vëllime të tij me këngë në vitin 1935 dhe 1936. Ndërkohë që kishte qenë autor i rregullt edhe te revista Rilindja. Edhe Mitrush Kuteli kishte vënë re cilësinë e shtypit në Korçë të të tri shtypshkronja që funksiononin aty, edhe pse nuk e lë pa vlerësuar përzgjedhjen dhe dedikimin e Dhorit për botim të veprave,
Gjithashtu Korça pat dhënë një varg ribotimesh të disa klasikëve shqiptarë të cilët kanë luajtur një rol kultural të aftë në Shqipërinë e Jugut e mbase edhe në Kryeqytet. Kur shkruajmë këto mendohemi veçanërisht në ribotimet e bëra prej shtypshkronjës së Dhori Kotit. Fatkeqësisht të tri shtypshkronjave të vendit u pat munguar teknika e përsosur e sidomos estetika në prezentimin e librave, fakt i cili ka edhe ai rolin e tij në përhapjen në një treg më pretencioz si ay i Kryeqytetit.
Për jetën e Dhori Kotit dihet tepër pak. Duhet të ketë lindur në një fshat afër Korçës (mbase në Vithkuq) diku në vitin 1887. Pas një migrimi të shkurtë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1903, ishte kthyer në Korçë ku fillimisht kishte punuar si rradhosës te shtypshkronja Korça. Më pas në vitet 1913–1914 ishte bërë drejtor i gazetës korçare Zgjimi të botuar nga Mihal Xoxe. Në vitin 1916–1917 e kishte shtypur dhe drejtuar edhe gazetë ditore Adriatiku. Si autor librash, e kishte redaktuar një përmbledhje të rrëfimeve të Nastradinit, disa libra shkollor, përfshirë abetare dhe libër gjeografie, dhe kishte përkthyer pjesë nga Robison Kruzo në shqip nga Daniel Defoe. Me emrin e tij i gjejmë edhe tre artikuj te Kalendari i Korçës në vitin 1913, të cilin më vonë e kishte botuar deri në vitet e njëzeta. Janë edhe disa artikuj të tjerë më vonë të botuara aty, që me siguri janë shkruar nga Koti, por që janë të panënshkuara. Mes tyre edhe një segment i vogël për përdorimin e ngjyrave në afishe në 8 rreshta tekst. Ky fragment, që edhe mund të ketë qenë përkthim nga ndonjë revistë e kohës, mund të jetë i vetmi nga Dhori Koti që ka të bëjë me dizajnin grafik. Nga Dhori Koti e kemi një udhezues për shkrimin e letrave të botuar në vitin 1922 me titull Udhëheqës për letra, me përmbajtje “shpiegime, shëmbëlla dhe farët e letrave, shkresave dhe të ndryshmeve.”
Është e mundur të ketë zotëruar gjuhën franceze. Përveç se i kishte dërguar të dy fëmijët e tij në liceun e famshëm francez të qytetit, ai ishte marrë edhe me furnizimin e kësaj shkolle me libra. Në vitin 1918 e kishte përpiluar edhe një Dialogues franco-albanais, libërth prej 30 faqesh për të mësuar gjuhën frënge.
Në vitin 1931, një përzgjedhje të pazakontë e kishte botuar një Ëndershpiegonjës, që duhet të jetë përkthim nga ndonjë autor tjetër, por të cilin e kishte redaktuar vetë. Nuk e dijmë vitin kur e kishte përkthyer edhe një novelë Genovefa ose Triumfi i virtutës, i cili mund të jetë bërë me porosi të Shoqërisë Biblike të Londrës. Në vitin 1931 e kishte përpiluar edhe një përmbledhje tjetër fetare të titulluar Protestanët janë orthodhoksë të parë (qëmoçmë), kurse me temë fetare kishte përpiluar edhe një material shkollor Hietore istori per shkollat fillore (1922). Në vitin 1922 e kishte përkthyer edhe një komedi me emrin Luloja në dy akte. E njejta ishte luajtur si shfaqje në qytetin e Korçës më 11 maj të vitit 1935. Në gjithë gamën e veprimtarisë së Dhorit, duket se nuk kishte munguar edhe aktrimi amator në shfaqjet e qytetit. Dhori kishte qenë njëri prej aktorëve në shfaqjen Besa të shkruar nga Sami Frashëri të luajtur në Korçë në janarin e vitit 1919, ku kishte luajtur së bashku me Mihail Balkamenin.